115 OJQ denoncojn? p?rhapjen nj? “urie masive” n? Gaz?
R.SH. – Vatikan
Tani, uria është armiku kryesor në Rripin e Gazës: OJQ-të që veprojnë në zonë njoftojnë përhapjen e një urie, e cila që nga e diela e kaluar, ka shkaktuar vdekjen e 21 fëmijëve, përfshirë një të porsalindur, por njerëzit vazhdojnë të vdesin edhe ndërsa kërkojnë ushqim: agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë vlerëson se nga maji, kur filluan shpërndarjet nga Fondacioni i diskutueshëm Humanitar i Gazës, i mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth një mijë njerëz të uritur janë vrarë ndërsa ishin në radhë për ushqim.
Dënim unanim ndërkombëtar
“Civilët nuk mund të jenë shënjestër, imazhet nga Gaza janë të padurueshme”, ka theksuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila i bën presion Izraelit për të “hapur një fluks të sigurt dhe të shpejtë të ndihmave humanitare”. Asaj i është bashkuar edhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila e ka quajtur “të pambrojtshme” pozicionin e atyre që vrasin njerëz në kërkim të ushqimit, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka folur për Gazën si një “tmerr të paprecedentë në historinë e fundit”.
Në terren
Në Rripin e Gazës civilët vazhdojnë të vdesin edhe nga sulmet izraelite: në orët e fundit janë vrarë të paktën 43 persona, nga të cilët 18 në kampin e të zhvendosurve të al-Shati, në Gaza City dhe shtatë ndërsa prisnin ndihma. Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se është afër arritjes së objektivave të tij të luftës; në zonë në ditët në vijim do të mbërrijë i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, për të vazhduar negociatat për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve.