Sh?n Gjon Pag?zuesi, na fton ta d?shmojm? t? v?rtet?n pa kompromise
R.SH. / Vatikan
Më 24 qershor Kisha katolike romake përkujton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit: solemnitet aq i rëndësishëm, sa të kremtohet dy herë, në lindje dhe në martirizim të shenjtit, sepse jeta e Shën Gjonit, ashtu si ajo e Virgjrës Mari, iu kushtua krejtësisht Krishtit.
Gjon Pagëzuesi qe pararendësi, ‘zëri’ i dërguar nga Hyji për të kumtuar Krishtin, Fjalën e mishëruar. Prandaj, ta kremtosh ditëlindjen e tij do të thotë të kremtosh Krishtin, përmbushjen e premtimeve të të gjithë profetëve, nga të cilët Pagëzuesi qe më i madhi, sepse i thirrur të përgatisë udhën para Mesisë.
Të gjithë Ungjijtë e fillojnë rrëfimin mbi jetën publike të Jezusit, duke përshkruar sesi Gjoni e pagëzoi Jezusin Zot në lumin Jordan, ngjarje e jashtëzakonshme. Njerëzit rendnin nga Jeruzalemi e nga të katër anët e Judesë për të dëgjuar Gjon Pagëzuesin e për t’u pagëzuar prej tij në lumë, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Gjoni është i famshëm, megjithëse nuk kumton vetveten, por “Qengjin e Hyjit, Jezu Krishtin Shpëtimtar që shlyen mëkatin e botës. Gjon Pagëzuesi është dëshmitari i parë i Jezusit që, duke pasë marrë shenja nga qielli, e tregon Jezusin si Birin e Hyjit dhe shpërblyesin e njerëzimit. Rrëfen, kështu, të vërtetën, pa kurrfarë frike.
Si profetë i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhrave të Hyjit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta.
T’i lutemi shën Gjon Pagëzuesit të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona t’i qëndrojmë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojmë me guxim të vërtetën e tij dhe dashurinë e tij për të gjithë. Kështu, duke ndjekur gjurmët e Pararendësit të Krishtit, Shën Gjon Pagëzuesit, ta dëshmojë edhe ne të vërtetën dhe dashurinë me guxim e pa kompromise.