Shenjtor?t e jav?s 1 qershor- 8 qershor
R.SH. - Vatikan
E diel më 1 qershor, Kisha katolike kremton solemnitetin e të Ngjituri të Jezu Krishtit në Qiell, festë e cila tek shqiptare njihet me emrin e Të Shelbuemit, e cila rrezaton mbi gjithë universin dritën e Krishtit Zot të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve, pa dallim e pa përjashtim.
Ungjilli i këtij solemniteti nga Luka na flet për Ngjitjen në qiell të Krishtit i cili erdhi në botë për ta udhëhequr përsëri njeriun drejt Hyjit, jo si filozof a si mësues i dijes, por si bari që dëshiron t’u prijë deleve drejt Atdheut qiellor. Pra, çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur në Mbretërinë e Zotit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes: ky është mesazhi që buron nga të Ngjiturit e Krishtit në Qiell e që i drejtohet mbarë njerëzimit.
Gjithnjë më 1 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Justinin, filozof e martir, shën Gjonin Battista Skalabirinin, ipeshkëv e themelues i Misionarëve dhe i Motrave Misionare të shën Karlit.
Të hënën më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin meshtar, shën Pjetrin ekzorcist e martir dhe shën Eugjenin, papë.
Të martën më 3 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Lvanga-n me shokë, martirë të Ugandës e shën Klotildën, mbretëreshë të frakëve.
Të mërkurën më 4 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Françesk Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe shën Kuirini, martir.
Të enjten më 5 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë.
Të premten më 6 qershor, kalendari përkujton shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; shenjtorët Artemi e Paolina, martirë e shën Klaudio-n, abat e ipeshkëv.
Të shtunën më 7 qershor, kalendari përkujton shën Antonin Maria Gjanelli, ipeshkëv e themelues i Bijave të Marisë.
Të dielën e ardhshme më 8 qershor, Kisha katolike do të kremtojë festën e Rrëshajëve. që bie 50 ditë pas festës së Pashkëve. E kujtojmë se Festa e Rrëshajëve shënon ditëlindjen e Kishës së Krishtit Zot e Shëlbues. Solemniteti Rrëshajëve shënon Zbritjen e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.