SHBA-t? bombardojn? tre centrale b?rthamore n? Iran, rritet tensioni n? Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
Pak para orës 2 të mëngjesit, sipas kohës italiane, sot e diel, 22 qershor, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se kishte sulmuar tre centrale bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan. SHBA-të kanë hyrë kështu në luftën e nisur nga Izraeli kundër Iranit për të fshirë programin e tij bërthamor, duke e komplikuar kështu situatën tashmë të tensionuar të luftës në Lindjen e Mesme. Irani menjëherë u përgjigj duke lëshuar raketa kundër qyteteve izraelite: Tel Avivit, Jeruzalemit dhe Haifës. Ditët e fundit kishte njoftuar se, po të sulmonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çdo objektiv amerikan në rajon do të konsiderohej "legjitim". "Tani lufta ka filluar", ishte reagimi i Republikës Islamike të Iranit, me Ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, i cili e përcaktoi sulmin kundër vendit të tij si "të paligjshëm" dhe paralajmëroi se Teherani "rezervon të gjitha mundësitë" për të ushtruar "të drejtën e mbrojtjes së popullit të tij". Vetë Arangchi do të jetë sot në Moskë për t'u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin.
Asnjë rritje rrezatimi
Deri tani vlerësimi i dëmit të shkaktuar nga sulmi amerikan kundër lokacioneve bërthamore iraniane është i paqartë. Tani për tani IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) konfirmon se nuk ka rritje rrezatimi. E ndërsa tensionet në rajon po thellohen, nga bashkësia ndërkombëtare arrijnë reagimet e para. Bashkimi Evropian do të takohet nesër me ministrat e jashtëm për të planifikuar një reagim të përbashkët ndaj bombardimeve. Në të njëjtën kohë, Evropa ftohet të bisedojë, për të shmangur shkallëzimin e mëtejshëm. E ndërsa vjen një dënim i qartë nga Rusia dhe Kina - Parisi dhe Londra mendojnë të mos marrin pjesë.
Sulmet
Ndërkohë, shkëmbimi i raketave ndërmjet Iranit dhe Izraelit vazhdon. Në sulmin e fundit iranian në zonat e banuara të Tel Avivit dhe Haifës, u plagosën 86 civilë, të paktën 9 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Ushtria izraelite më në fund pohoi se kishte nisur një lëshim të ri raketash kundër objektivave ushtarake iraniane. Tensionet ndërmjet dy vendeve nisën natën e së enjtes, 13 qershor, kur Izraeli filloi një sulm të fuqishëm kundër Iranit, pasi dy vendet, për njëfarë kohe, qenë angazhuar në një konflikt me intensitet të ulët. Tel Avivi sulmoi infrastrukturën bërthamore iraniane, vrau udhëheqës ushtarakë dhe shkencëtarë të nivelit të lartë dhe shkatërroi radarët e vendet e raketave, duke përdorur avionë luftarakë e dronë të futur më parë fshehurazi në vend. Irani u përgjigj me disa sulme me raketa drejt Izraelit. Që atëherë, bombardimet vijojnë pa u ndalur kurrë.