M? 12 qershor kalendari kujton Sh?n Onufrin, eremit
R.SH. - Vatikan
Më 12 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Onufrin, eremit. Shën Onufri është emri i një eremiti të nderuar si nga Kisha Katolike, ashtu edhe nga ajo Ortodokse. Konsiderohet pajtor i njerëzve, që kërkojnë objekte të humbura, i vajzave për t’u martuar dhe i studentëve në vështirësi.
Onufri ishte vetmitar, që jetonte në shkretëtirën egjiptiane. Emri i tij rrjedh nga greqishtja "Onnóphris" dhe do të thotë "ai, që është gjithmonë i lumtur". Jeta e tij rrëfehet në legjenda të ndryshme, disa prej të cilave tregojnë për ngjarje të jashtëzakonshme, siç është ajo e mbulimit të trupit të tij me flokë për t'u mbrojtur nga të ftohtit. Kjo mënyrë për të mbuluar trupin ishte e zakonshme për vetmitarët, të cilët qenë mësuar të rrinin fare vetëm, pa i parë kush tjetër, veç engjëjve. E prandaj kishin hequr dorë nga veshjet, të cilat shkretëtira i shkatërronte shpejt. E në sa vijonin atë mënyrë jetese, larg çdo vendi të banuar, nuk e kishin të lehtë t’i zëvendësonin me veshje të tjera.
Sipas traditës, ai ishte djali i një mbreti, i dëshiruar prej kohësh, por që, sapo lindi, u akuzua si bir i një marrëdhënieje kurorëshkelëse të mbretëreshës: iu nënshtrua "provës së zjarrit", nga e cila doli i padëmtuar. Deshi të izolohej, duke iu kushtuar jetës së eremitit që kur ishte ende shumë i ri. Ipeshkvi dhe murgu i vjetër egjiptian Pafnuci, i etur për të mësuar rreth jetës së vetmitarëve a oshënarëve të shkretëtirës, ??e takoi dhe kaloi me të ditët e fundit të jetës së Onufrit, të cilin e varrosi në një shpellë.
Pafnuci e përshkroi këtë përvojë në librin “Jeta”, i cili u shpërnda gjerësisht në Lindje, duke i dhënë fillesat kultit të Shën Onufrit, i cili u përhap në të gjithë Azinë e Vogël. Ky kult është veçanërisht i fuqishëm në Palermo të Italisë, ku ai kremtohet për një javë, nga 10 deri më 16 qershor. Qyteti siçilian e nderon me veprimtari të ndryshme fetare dhe profane.