M? 11 qershor kalendari kishtar p?rkujton Sh?n Barnab?n Apostull
R.SH. - Vatikan
Më 11 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Barnabën, Apostull i Kishës së sapolindur, një "i huaj" që u bë një shtyllë e vërtetë e Kishës së shekullit të parë: Shën Barnaba, hebre me origjinë nga Qipro, fitoi një vend midis dishepujve të Jezusit të Ngjallur falë dëshmisë së tij të bindur për një Ungjilli universal. Koherenca ndërmjet gjesteve dhe fjalëve e bëri Barnabën dëshmitar me autoritet të Krishtit të Gjallë.
“Kështu Jozefi, të cilin apostujt e quajtën Barnabë – që do të thotë: biri i ngushëllimit – levit, me prejardhje qipriot, kishte një tokë; e shiti e të hollat ua solli apostujve”. (Vp 4,37) .
Quhej Jozef, para se të lidhej me apostujt. Me origjinë nga Qipro, ai shiti gjithçka pati dhe paratë që fitoi nga shitja e pasurive, i vuri tek këmbët e Apostujve, të cilët që nga ai çast nisën ta thërrasin Barnaba, sepse i inkurajonte të tjerët. Në Veprat e Apostujve, Barnaba, paraqitet pikërisht përmes këtij gjesti, që flet për kthesën rrënjësore të jetës së tij, në ndjekje të Jezu Krishtit.
Barnaba lindi në shekullin I pas Krishtit., në Qipro, vdiq më 11 qershor të vitit 61, pas Krishtit, në Salaminë, po në Qipro.
Shën Barnaba u caktua nga dishepujt e Jezusit si Apostull i johebrenjve, pra, i popujve, së bashku me Palin, udhëtoi me të në shumë rajone, duke predikuar Ungjllin. Pas kthimit në Qipro, u martirizua në Salaminë, ku mendohet se u vra me gurë nga hebrenjtë sirianë në vitin 61. Trupi i tij, në kohën e perandorit Zeno, u gjet me anë të zbulesës së vetë Barnabës, së bashku me një kopje të Ungjillit të Shën Mateut, të transkriptuar prej tij.