Riarmatimi global k?rc?non edhe klim?n e ambientin
R.SH. – Vatikan
Riarmatimi ushtarak global përfaqëson një kërcënim konkret për luftën kundër pasojave të ndryshimeve klimatike: ai i planifikuar nga NATO-ja, në veçanti, mund të rrisë emetimet e gazit serrë me pothuajse 200 milionë ton në vit. Kjo vihet në dukje nga një studim i Observatorit të Konflikteve dhe Ambientit (CEOBS) - OJQ, e cila ka punuar që nga viti 2018 për ndërgjegjësimin ndaj pasojave, që kanë konfliktet dhe veprimtaritë ushtarake mbi natyrën e gjendjen humanitare.
Ndërsa bota është përfshirë në numrin më të lartë të konflikteve të armatosura që nga Lufta II Botërore - pothuajse njëqind shtete, sipas të dhënave të fundit - vendet kanë filluar të shpenzojnë më shumë për armatimin, duke arritur shifrën rekord prej 2,46 trilion dollarësh në vitin 2023. Çdo ditë, para syve të gjithë botës kalojnë dëshmi dramatike për koston në njerëz të luftërave, me numrin e madh të viktimave në Rripin e Gazës e në Ukrainë, në Sudan e në Mianmar. Por nuk merr fund me kaq. Për çdo dollar të investuar në armë të reja, shtohen emetimet e karbonit në atmosferë dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, shpjegon CEOBS, që e bëri studimin në përgjigje të një kërkese të OKB-së.
Rritja e nivelit të emetimeve globale
"Ka një shqetësim të vërtetë lidhur me mënyrën si i jepet përparësi sigurisë afatshkurtër, duke sakrifikuar sigurinë afatgjatë", pohon Ellie Kinney, studiuese e CEOBS dhe bashkautore e studimit. Në rajonin sudanez të Darfurit, për shembull, në konfliktin që ka vënë ballë për ballë ushtrinë e Khartumit dhe paraushtarakët që nga 15 prilli 2023, pas atij të mëparshmit të viteve 2000 me 300.000 të vdekur, pasiguria lidhet me konkurrencën për burimet e pakta, pas thatësirës së zgjatur dhe shkretimit të tokave. Në Arktik, zvogëlimi i sipërfaqes së mbuluar me akull ndikon në konkurencën për burimet e naftës, gazit dhe mineraleve, që tani kanë dalë në pah. Nuk ka të dhëna të sakta globale mbi shkallën e përdorimit në ushtri të lëndëve djegëse fosile, por studiuesit vlerësojnë se ato janë përgjegjëse për 5,5% të emetimeve të gazit serrë. Kjo shifër pritet të rritet ndërsa tensionet shkallëzohen. SHBA-të, që për vite kanë shpenzuar më shumë për armatimet, kanë deklaruar se presin që vendet e Aleancës Atlantike t'u kushtojnë më shumë burime forcave të tyre të armatosura. Sipas Indeksit Global të Paqes, në vitin 2023, 108 vende i rritën shpenzimet ushtarake e 92 prej tyre ishin të përfshira në konflikte të armatosura.
Rasti i Evropës
Gjendja nuk është më e mirë në Evropë, madje rritja e armatimeve ka qenë veçanërisht dramatike. “Pushtimi rus i Ukrainës”, thuhet në studimin e CEOBS, “ka shkaktuar një rritje drastike të shpenzimeve ushtarake nga Bashkimi Evropian”. Ndërmjet viteve 2021 dhe 2024, në shtetet anëtare të marra së bashku ato janë rritur “me mbi 30%”, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Ekonomi dhe Paqe. “Në vitin 2024, ato janë vlerësuar me shifrën 326 miliardë euro, afërsisht 1,9% të PBB-së së BE-së, duke arritur pothuajse objektivin prej 2% të vendosur nga NATO-ja”. Në mars, Bashkimi Evropian njoftoi se do të shpenzojë edhe 800 miliardë euro të tjera për planin “ReArm Europe”.
Teknologjitë ushtarake me emetime të ulta janë “të kufizuara”
Observatori i Konflikteve dhe i Ambientit ka analizuar ndikimin e mundshëm të militarizimit në rritje në objektivat e luftën kundër pasojave të ndryshimeve klimatike. Rezultatet janë shkurajuese: rritja e mundshme e emetimeve vetëm për shkak të rimilitarizimit të NATO-s do të ishte e barabartë me atë të një vendi të madh dhe të populluar si Pakistani. Në një kohë kur bota ka nevojë për paqe “të paarmatosur” dhe “çarmatosëse”, siç kujtoi Papa Leoni XIV në bekimin e tij të parë Urbi et Orbi nga Lozha e Bazilikës së Vatikanit, rritja e shpenzimeve ushtarake mbetet “energjikisht intensive”, vëren CEOBS, duke theksuar se teknologjitë ushtarake me emetime të ulta janë “të kufizuara”, që do të thotë se për dekadat e ardhshme “forcat e armatosura do të përdorin pajisje me lëndë djegëse fosile”, me intensitet të lartë.