Ramazani, koh? lutjeje dhe pajtimi p?r t? mir?n e Krijimit
R.SH. / Vatikan
Për myslimanët dhe të krishterët Ramazani e Kreshmët janë kohë që të reflektojnë thellë mbi temat e përbashkëta. Periudhë agjërimi dhe përsiatjeje për të dyja palët, u kujton besimtarëve të reflektojnë për jetën e tyre, për marrëdhënien e tyre me Krijimin dhe me Krijuesin. Myslimani Mustafa Cenap Aydin, sociolog i feve, drejtor i Institutit Tevere – Qendra për Dialog, ndalet – në një intervistë për mediat e Vatikanit – në kuptimin e muajit të shenjtë për myslimanët, i cili filloi sot, 1 mars, dhe që në këtë vit 2025 i paraprin vetëm pesë ditë Kreshmëve të Krishtera, që fillojnë më 5 Mars.
"Kjo rastësi" – shpjegon - "do të thosha se është një përqafim i dy vëllezërve, dy bijve të Abrahamit, të cilët ecin së bashku për arsye të ndryshme. Një shembull shumë konkret i kësaj ecjeje është dokumenti i Abu Dhabit për vëllazërinë njerëzore, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Ahmad Al-Tayyeb. Kjo periudhë mund t'i ndihmojë shumë myslimanët dhe të krishterët për t’i kuptuar më mirë problemet themelore të jetës. Duhet theksuar edhe se këtë vit rastësitë nuk mbarojnë këtu: Pashkët Katolike përkojnë me Pashkët Ortodokse, më 20 Prill, ndërsa nga 12 deri më 20 prill festohet Pesah, Pashkët hebreje. Këtë vit do të kemi shumë mundësi për bashkëpunim ndërfetar, qoftë edhe në jetën shpirtërore”.
Ramazan e Kreshmë
Në këtë periudhë, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët agjërojnë, gjë që nuk duhet parë vetëm si disiplinë dietike, por më tepër si periudhë shumë e rëndësishme për të kuptuar më mirë përshpirtërinë. “Muslimanët - thekson Cenap Aydin - do të lexojnë lutje të posaçme nga nata e parë e Ramazanit e do të kenë edhe çaste kushtuar reflektimit, për shembull, mbi kuptimin e tekstit të shenjtë, në të cilin do të përsëriten edhe emrat e shumtë, të bukur, të Zotit. Ndërsa e mërkura e ardhshme, 5 mars, do të jetë e Mërkura e Përhime për të krishterët, fillim i shtegtimit 40-ditor drejt Pashkëve. Këta hapa, 30 për Ramazanin dhe 40 për Kreshmën, do të jenë hapa që, për myslimanët dhe të krishterët, do të krijojnë mundësi për rilindje, mundësi për të kuptuar vërtetë se kush jemi dhe çfarë angazhimi mund t'u ofrojmë të tjerëve".
60 vjetori i Nostra Aetate
Deklarata e Koncilit të Dytë Kishtar të Vatikanit Nostra aetate, të cilën sociologu e kujton me rastin e 60-vjetorit të shpalljes së saj nga Pali VI, më 28 tetor 1965, na kujton se myslimanët ‘e vlerësojnë shumë jetën morale dhe e adhurojnë Zotin, mbi të gjitha përmes lutjes, lëmoshës dhe agjërimit’. “Sigurisht që kjo periudhë e Ramazanit është e rëndësishme jo vetëm për agjërim, por edhe për të treguar më shumë gatishmëri ndaj të tjerëve, për të qenë shumë më tepër bamirës. Një gatishmëri që në një kuptim tjetër mund të përkufizohet si lutje. Ne, pra, flasim për lutjen gojore, kuptuar si thirrje për t'i kërkuar Zotit ndërhyrjen e tij për të mirë, edhe flasim për lutjen, që bëhet akt konkret, pra gatishmëri për të ndërtuar së bashku paqen, për të ndrequr gabimet e për t’i dhënë fund konflikteve, duke e ditur shumë mirë se paqja dhe pajtimi, aktivistë të të cilëve duhet të jemi, nuk mund të arrihen kurrë pa lutjen e Zotit për ndihmë.
Lutja për Papën Françesku
Një lutje e veçantë gjatë kësaj periudhe të shenjtë do të jetë për Papën Françesku, përfundon Mustafa Cenap Aydin. “Në këtë mënyrë do të përpiqemi të jemi pranë këtij Njeriu të lutjes, që e jeton atë në çdo çast të jetës së tij. Për këtë, si myslimanë, edhe gjatë muajit të Ramazanit do të jemi shumë, shumë pranë tij, me lutjet tona”.