Ukrain?. Tre vjet luft?: Evropa t? jet? aktore e paqes
R.SH. - Vatikan
Tre vjet më parë, më 24 shkurt 2022, Rusia pushtoi Ukrainën. Lufta u kthye në zemër të Evropës. Ishin tre vite shumë të vështira në të cilat vdekja, tmerri dhe vuajtja i prekën thellë zemrat e miliona njerëzve. Nuk ka numra zyrtar për viktimat ushtarake dhe civile. Gazetat në mbarë botën përshkruajnë heksodin e afro shtatë milionë njerëzve të cilat, sipas të dhënave nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara, u detyruan të linin gjithçka pas për t’u strehuar në vendet fqinje që i mikpriten, ose për të gjetur një rrugë tranziti për në destinacione të tjera të sigurta.
Brenda vendit, të dërrmuar këto muaj nga kthetrat e një dimri që arrin edhe në minus njëzet gradë nën zero, ka pothuajse katër milionë njerëz të zhvendosur, që kërkojnë strehim larg dhunës. Burra, gra, fëmijë, të moshuar që shpesh, në zonat kufitare të sulmuara, jetojnë në tunele për t'u strehuar nga bombat ose sulmet me dron. Shumë qytete janë kthyer në grumbuj rrënojash, shpesh mungon energjia elektrike si dhe mundësia e ngrohjes, e ngrënies ose e kujdesit mjekësor.
Papa, në mesazhin e djeshëm përmes lutjes së Engjëllit, e quajti këtë përvjetor “të dhimbshëm dhe të turpshëm për mbarë njerëzimin”. E, ashtu si në çdo rrethanë, vazhdon të përsërisë me forcë se “lufta është gjithmonë disfatë” e të kërkojë një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” si dhe nevojën për dialog. Theksi bie tërësisht mbi këtë epitet, sepse paqja e drejtë bazohet mbi parimin e barazisë, respektit të ndërsjellë dhe qëndrueshmërisë në kohë.
Njëkohësisht, rruga e negociatave duhet të jetë angazhim për të gjithë. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ndaluar bombat dhe tanket, por kryesisht për t’i pranuar gabimet, për të marrë guximin e për të bërë një hap prapa, për ta parë tjetrin në fytyrën, për ndërtimin dhe mbështetjen e një sistemi që garanton të drejta, siguri dhe mirëqenie për të gjitha palët. Do të thotë, sado e vështirë të jetë, të fillojmë së bashku! Deri tani, rruga e ndjekur ka qenë plot me armatime, proklamata, madje e edhe hipoteza skenarësh bërthamorë apokaliptikë për mbarë botën.
Thirrjet dhe përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit ishin të pasuksesshme, por shpresa nuk humbi, ashtu siç nuk heshti solidariteti i shumë organizatave, institucioneve dhe njerëzve vullnetmirë. Janë të shumta dëshmitë e mbledhura dhe të përhapura në këto vite të errëta: histori flijimesh, solidariteti, dashurie dhe pasioni për Atmen, për njerëzimin, edhe përballë torturave, lëndimeve apo ëndrrave të humbura, të cilat tregojnë vullnetin për të mbajtur zemrat larg urrejtjes, pavarësisht agresionit të vuajtur dhe mbrojtjes pasuese, megjithë tifozëritë pikërisht ndërmjet rusëve dhe ukrainasve.
Është urgjente të heshtë e gjithë dhuna, të rindërtohet besimi, të rifillojë një “Konferencë Ndërkombëtare”, siç hamendësoi disa muaj më parë Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, ku rifillon çka u quajt “shpirti i Helsinkit”.
E kjo, sepse në vitin 1975 ishte pikërisht vullneti për t'u ulur së bashku rreth një tryeze që krijoi mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet kombeve evropiane dhe uljen e tensioneve, pasojë e Luftës së Ftohtë.
Prandaj, thirrja i drejtohet edhe Evropës, që të rizbulojë veten, të rikthehet tek rrënjët e etërve themelues: Robert Schuman, Konrad Adenauer, Alcide De Gasperi e të jetë aktore vërtet e fortë dhe e besueshme e paqes, e mirëpritjes dhe shembull i vëllazërisë universale.