Toka Shenjte, dhimbja e Jeninit p?r sulmet kund?r refugjat?ve dhe vdekjet n? rrug?
R.SH. / Vatikan
Ferri në të cilin po zhytet Jenini përmblidhet në një fjali të vetme: "Sulmi në kampin e refugjatëve i ngjet luftës në Gaza". Këtë shprehje e përdori Joseph Hazboun, por nuk është shpikja e tij: "Kryetari i qytetit palestinez ishte i pari që e përshkroi dhe e fotografoi këtë fatkeqësi: mbi njëqind banesa të shkatërruara, mijëra familje të prekura, mijëra njerëz të zhvendosur". E numrat po rriten orë pas ore, aq sa është e vështirë të vazhdosh.
Përfshihet edhe Tulkarem
Çka ndodh që nga 21 janari, me fillimin e aksionit ushtarak izraelit, i cili po prek çdo centimetër katrore të qendrës urbane të mbetur, përshkruhet nga drejtori rajonal i zyrës së Misionit Papnor për Palestinën e Jerusalemin, si masakër: “Vdekjet në zonën urbane janë vërtet të shumta, duke përfshirë edhe dy kampet e refugjatëve. Në Jenin, komuna njoftoi se tri kilometra rrugë nuk janë më, ashtu si rruga që lidhte qytetin me spitalin, infrastruktura hidrike e të cilit, kanalizimet dhe telekomunikacioni tashmë janë krejtësisht jashtë përdorimit”.
Mijëra të shpërngulur
Joseph Hazboun nuk priste të ndodhte diçka ndryshe nga një operacion kundër ekstremistëve e që vetë izraelitët e quajtën "Mur i Hekurt". Në një bisedë të gjatë me mediat e Vatikanit, tregon se si shpërbërja e kampit të Jeninit i detyroi rreth 20,000 vetë të shtojnë numrin e refugjatëve që kërkojnë strehim jo vetëm në brendësi të vendit, por edhe në 17 fshatra të tjerë të provincës: “E vërteton edhe agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmat e refugjatëve palestinezë, e sigurt për zyrën e saj në Jerusalemin Lindor (Unrwa), që iu desh ta ndërpresë veprimtarinë e saj të ndihmës në të gjithë Bregun Perëndimor”. Me dëme të pallogaritshme.
Filli i kuq i historisë
Vdekje, njerëz të shpërngulur, dhimbje dhe gjak. Simfoni tragjike, që nuk është aspak e re për ata që e njohin historinë dhe e dinë mirë se ekziston një fije e përbashkët lidhëse ndërmjet së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes: “Nuk duhet të harrojmë se operacionet në kampin e refugjatëve, në Jenin, filluan pas Intifadës II, e cila shpërtheu në vitin 2000, pas vizitës në xhaminë Al-Aksa nga kreu i atëhershëm i partisë të Likud-it, Ariel Sharon, i shoqëruar nga disa zyrtarë të sigurisë së partisë së tij. Në vitin 2002, forcat izraelite rrethuan kampin dhe vranë qindra palestinezë ndërsa shkatërruan shtëpi dhe infrastruktura. Kjo është arsyeja pse, që prej gjithë kësaj kohe kampi u kthye në bastion rezistence. E, që nga 7 tetori 2024, u zmadhua, për të krijuar mbështetje më të madhe për Gazën”.
Alarm për të krishterët
Të krishterët që jetojnë ndërmjet Jeninit dhe fshatrave përreth janë shumë pak, rreth një mijë. Shumica e tyre strehohen në Zababdeh: këtu kryetari i bashkisë është i krishterë, Patriarkana Latine e Jeruzalemit ka një manastir dhe një shkollë dhe kishat melkite e ortodokse janë gjithashtu të pranishme. Joseph Hazboun merr frymë thellë, sepse është një nga më të paktët që mund ta përballojë këtë ditë: “Në Zababdeh situata është më e mirë se në Jenin, megjithëse nuk mungojnë sulmet dhe bastisjet izraelite që synojnë kapjen e ‘palestinezëve të kërkuar’". Në përgjithësi, bashkësia e krishterë në Palestinë mbetet në qytetet dhe fshatrat e saj, duke u lutur për t'i dhënë fund armiqësive. Përsa i përket bllokimit dhe kufizimit të lëvizjes, vuan si fqinjët myslimanë.
Lëvizje të ndërlikuara
Që e gjithë Palestina po rrokulliset gjithnjë e më shumë në një situatë alarmante, mund të kuptohet edhe nga një udhëtim emblematik: ai që një murgeshë nga kongregata e Shën Jozefit e bën çdo mëngjes nga Betlehemi në Ramallah, ku punon në një shkollë infermierie. Normalisht, rruga e vetme që lidh dy qytetet palestineze bëhet për një orë, duke pasur parasysh pikat e kontrollit izraelit. Por tani ka ndryshuar: në postblloqet murgesha mbahet mesatarisht 3 ose 4 orë.
Bethlehemi, ashtu si Beit Sahour dhe Beit Jala, është i rrethuar nga kangjella hekuri, shtesë që e bën të gjatë dhe të mundimshëm udhëtimin brenda dhe jashtë provincës. Jericho, i vetmi korridor për të udhëtuar në vend e jashtë tij përmes Jordanisë, u bllokua nga izraelitët, të cilët ua anuluan të gjitha lejet palestinezëve, që punojnë në Izrael. Ndërmjet tyre, mijëra të krishterë që, prej 15 muajsh, nuk dinë sesi mund t’i ushqejnë familjet e tyre: rreziku është që, herët a vonë, do të zgjedhin emigrimin masiv. Nisje, pa kthim!