Scholas Occurrentes , t? rinjt? n? dialog p?r paqen
R.SH. - Vatikan
Dhimbja dhe shpresa janë ndjenjat që gjallërojnë José María del Corral, president i Scholas Occurrentes, në fund të takimit ndërfetar Meaning Meets Us, i cili u zhvillua nga 2 deri më 5 shkurt 2025 në Romë dhe Vatikan. Rreth tridhjetë të rinj nga Izraeli, Palestina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takuan për të bashkëndarë përvojat e tyre mbi konfliktin e Lindjes së Mesme dhe për të reflektuar mbi vlerën e takimit në ndërtimin e paqes. Ceremonia e mbylljes u mbajt në selinë e Fondacionit Papnor ‘Scholas Occurrentes’ në Pallatin e Shën Kalistit, në Romë, i cili që tani – njofton për mediat e Vatikanit presidenti Del Corral - është në kontakt me universitetet në Rusi dhe Ukrainë për të nisur një përvojë të ngjashme.
Projekte të ngjashme në Rusi dhe Ukrainë
“Ndjeva shumë shpresë, sepse vërtet besoj se të rinjtë janë të aftë ta realizojnë këtë ëndërr të Papa Françeskut: se kultura e takimit është e mundur. Nuk është një slogan dhe nuk është naive”, tha Del Corral. Meaning Meets Us është rezultat i punës trevjeçare brenda projektit Scholas Occurrentes University of Meaning, zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin Hebraik të Jerusalemit dhe Universitetin e Notre Dame në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy institucionet tashmë po përpunonin në një program të përqendruar në dialogun shkencor përmes arsyes, dhe Scholas Occurrentes integroi në të “metodologjinë e kuptimit”, bazuar në lojëra, art dhe teknologji. “Ky është eksperimenti i parë në të cilin dy modalitetet: ai i sjellë nga shkencëtarët dhe ai i propozuar nga ne – janë kombinuar”, nënvizoi presidenti i Scholas Occurrentes. Del Corral shpjegon gjithashtu se një komision i posaçëm do të vlerësojë aktivitetet e projektit, duke paralajmëruar se indikacionet e para tregojnë që tani rezultate shumë pozitive, "edhe në një kontekst kaq kompleks si ai i konfliktit në Tokën e Shenjtë".
Ndikues i Paqes
Teologu argjentinas José María del Corral më pas vuri re se si konceptet e borxhit dhe faljes nuk kuptohen gjithmonë plotësisht nga të rinjtë, duke nënvizuar nevojën për t'i bërë ato të arritshme dhe konkrete. Një synim të cilin Meaning Meets Us e arriti përmes aktiviteteve të tij. Pjesëmarrësit, pasi kthehen në komunitetet e tyre, janë të thirrur të jenë "ndikues të paqes", transmetues të vlerave të mësuara brenda rrjeteve a komuniteteve të tyre. “Në kontekstin e Jubileut, shpresa është që të lindin ‘shkola’ të reja në të cilat mesazhi i Françeskut për paqen do të promovohet”, tha Del Corral.
Edhe Monsinjor Lucio Adrian Ruiz, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim, reflektoi mbi konceptin e influencer në ndërhyrjen e tij të fundit, duke inkurajuar të rinjtë të përhapin mesazhin jubilar të shpresës: “Bota me të vërtetë duhet të hapë mendjen dhe zemrën e saj, deklaroi monsinjor Ruiz, duke nënvizuar rëndësianë e thyerjes së barrierave që ndajnë njerëzit. Deklarata e tij u pasua nga ajo e Maria Teresa Bellucci, zëvendësministre e Punës dhe Politikës Sociale e qeverisë italiane, e cila vlerësoi iniciativën e Scholas Occurrentes duke ripohuar rëndësinë e respektit për jetën dhe dialogun si shtylla të një të ardhmeje paqeje dhe prosperiteti. Ajo theksoi gjithashtu edhe nevojën për t’i bashkuar forcat për të ndërtuar një të ardhme me respekt të ndërsjellë, duke mbrojtur traditat e çdo kulture.
“Asnjë sfidë apo problem njerëzor nuk mund të zgjidhet nëse trajtohet me paragjykime dhe paragjykime. Dhe e vetmja mënyrë për t'i kapërcyer ato është të impenjohemi në një lidhje të drejtpërdrejtë dhe autentike me njëri-tjetrin”, tha Yaron Sideman, ambasador izraelit pranë Selisë së Shenjtë. Sideman më pas shprehu besimin e tij në fuqinë e shpresës: “Në fund të fundit, kjo do të na çojë drejt paqes. Jam i sigurt. Dhe ju, të gjithë ju, do të jeni udhërrëfyes drejt dritës në fund të tunelit”.
Kërkesa e të rinjve drejtuar Papës
Përveç ekspozimit të një vepre arti të krijuar gjatë këtij përshkimi, tre pjesëmarrës të rinj përmblodhën përvojën e tyre dhe njëri prej tyre e lexoi letrën që i është dorëzuar Papës Françesku në fund të audiencës së përgjithshme të mërkurën më 5 shkurt. Në tekst ata deklarojnë se e përfundojnë këtë udhëtim me një "lidhje më të thella mes nesh dhe, për rrjedhojë, me shpresë". “Sikur na kanë treguar këto takime –, shkruajnë të rinjtë – bisedat e ndershme ndërkulturore na ndihmojnë të njohim dinjitetin e tjetrit përmes dinjitetit dhe dallimeve tona”. Të rinjtë izraelitë, palestinezë dhe amerikanë i kërkojnë Kishës që të vazhdojë të mbështesë projekte të ngjashme, në mënyrë që ata të përfshijnë komunitete të tjera: “Ju lutemi bashkohuni me ne për t'u lutur për guximin e dialogut dhe për paqe”.