Evropa k?rkon "rrug?n e tret?" p?r nj? paqe t? drejt?
R.SH. – Vatikan
Presidenti francez Emmanuel Macron ka organizuar sot me urgjencë një Takim të nivelit të lartë evropian, ku marrin pjesë krerët e qeverive të Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës. Në tryezën e bisedimeve, edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Samiti mbahet në orën 16 të pasdites së sotme, në Elizeum. Këshillimi vetëm me një numër të vogël krerësh të BE-së justifikohet me dëshirën për të gjetur një përgjigje të shpejtë për t'ia paraqitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë kërkuar Evropës ta bëjë të qartë rolin, që synon të luajë për sigurinë e Kievit. Arsyeja e takimit, sipas një note të Elizeut, është shkëmbimi i mendimeve ndërmjet liderëve evropianë për situatën në Ukrainë dhe për çështjet e sigurisë në Evropë. Diskutimet, shpjegohet në të, mund të përfshijnë e të shtrihen në të gjithë protagonistët e interesuar për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Në Riad, bisedime ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Mike Waltz dhe funksionarë rusë do të takohen të martën për bisedime mbi paqen, nga të cilat, aktualisht, janë përjashtuar Ukraina dhe Evropa. Sipas gazetës ruse Kommersant, këto janë kontaktet e para të nivelit të lartë ndërmjet funskionarëve rusë dhe amerikanë që prej vitesh. Rubio deklaroi dje se javët dhe ditët e ardhshme do të përcaktojnë nëse presidenti rus Putin është "seriozisht për paqen". Në Riad do të vendosen edhe kushtet e takimit të parë të presidentit amerikan Donald Trump me atë rus Vladimir Putin, që mund të mbahet në fund të muajit, ndërsa do të bëhen përpjekje për arritjen e armëpushimit para Pashkëve, objektiv që Evropa e konsideron tejet të pamundur.
Qëndrimi i Ukrainës
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky mbërriti dje në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi mori pjesë në Konferencën e Sigurisë, në Mynih të Gjermanisë. Zelensky nuk e bëri të ditur programin e udhëtimit të tij, por nënvizoi se Ukraina është përjashtuar nga bisedimet SHBA-Rusi në Riad. “Është e rrezikshme të flasësh me armiqtë, përpara se të flasësh me aleatët”, komentoi presidenti. “Qëndrimi i Ukrainës është i qartë: nevojitet një front i përbashkët i Ukrainës, SHBA-së dhe Evropës, përpara çdo negociate me presidentin Putin”, deklaroi një nga bashkëpunëtorët e tij. Gjithsesi, Uashingtoni siguron se do t’i përfshijë të dyja palët. Parashikohet një takim i parë dypalësh me Rusinë, i ndjekur nga një me Ukrainën e pastaj, bisedime të përbashkëta.