Myftiu i Tripolit: Zoti e sh?roft? Pap?n, u ktheft? shpejt n? papnin? e tij fisnike
R.SH. - Vatikan
“I uroj Shenjtërisë së Tij shëndet dhe mirëqenie e edhe të jetë sërish aktiv e të rikthehet në kryerjen e detyrave të tij të rëndësishme ndërkombëtare. U pikëlluam shumë kur dëgjuam se kishte probleme shëndetësore. I lutemi Zotit ta shërojë plotësisht, t'ia kthejë shëndetin, ta lejojë të kthehet në drejtimin e kësaj papnie fisnike, me gjithçka që çon në një mesazh dashurie, solidariteti dhe balsam për plagët në komunitetet e ndryshme të botës".
Ky është mesazhi që myftiu i Tripolit, Sheikh Mohammad Imami, dëshiron t'i dërgojë, përmes mediave të Vatikanit, Papës Françesku, shtruar në spitalin Gemelli që prej 14 shkurtit. Autoriteti islamik libanez u takua në mëngjes me kardinalin Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në ditën e tij të tretë të misionit në Liban, me një ndalesë sot në Tripoli, qytet në veri i prekur rëndë nga varfëria dhe probleme të tjera shoqërore.
"Si është Papa ynë i dashur?"
Menjëherë pasi i uroi mirëseardhjen kardinalit nën strehën e tij në Dar el Fatwa, i shoqëruar nga nunci apostolik Paolo Borgia dhe kryeipeshkvi maronit i Tripolit, Youssef Soueif, Myftiu pyeti për shëndetin e Papës: "Si është Ati ynë i Shenjtë i dashur?". Tha kështu dhe vuri dorën në zemër kur dëgjoi lajmin për përmirësimin e lehtë të Papës, komunikuar mëngjesin e sotëm nga Salla e Shtypit e Vatikanit. “Shenjtëria e tij është qendër paqeje në mbarë botën e mbështetjeje për nevojtarët”, komentoi Mohammad Imami.
E mira e njeriut, puna e përbashkët
Më pas falënderoi kard. Czerny për vizitën e cila, tha ai, e bën të lum gjithë bashkësinë "e edukuar për të jetuar e lume, së bashku". “Jemi shumë të lumtur që presim Shkëlqesinë e Tuaj”- shtoi ai - duke nënvizuar se emri i Dikasterit të kryesuar nga Czerny – Shërbimi për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor – “është i mrekullueshëm” ngaqë na kujton se “ne të gjithë jemi në shërbim të jetës”. “Falënderojmë Vatikanin për këtë Dikaster, që punon në mbarë botën”. “Ne - gjegji prefekti Czerny – kemi mësuar se çfarë do të thotë të zhvillosh çdo individ në të gjitha përmasat dhe t’i zhvillosh të gjithë, jo vetëm disa. Duam ta shoqërojmë Kishën në angazhimin e saj këtu, në territor”. Prej këndej, përgjigja e myftiut: “E mira e njeriut është gjë e përbashkët ndër ne: punojmë bashkë, secili në mënyrën e vet”.
Libani, shembull bashkëpunimi dhe bashkëjetese
E Libani, në veçanti, "është shembull i mirëpritjes dhe i bashkëjetesës, gjë që ndodh pa mundim, spontanisht". “Lufta shkaktoi një gjë pozitive: e bëri të qartë bashkëpunimin ndërmjet të gjithë libanezëve, përtej çdo feje. Disa njerëz menduan se ishte çështje ndarjeje, por ndodhi e kundërta”. Vërtet shembull konkret i asaj "vëllazërie njerëzore", komentoi Kardinali, aq të dëshiruar nga Papa Françesku.