M? 17 shkurt kalendari kujton 7 themeluesit e Sh?rb?tor?ve t? Lumes Virgj?r?s Mari
R.SH. - Vatikan
Më 17 shkurt kalendari i Kishës katolike kremton Shtatë Themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari. Historia e tyre është simbol i veprës së Kishës në histori, emblema se si një projekt i përbashkët mund të bëhet një farë shprese.
“Ata iu përkushtuan me entuziazëm e zell të madh Zotit dhe Zojës Mari. Ishin shtatë burra të denjë për respekt dhe nder në Firence, të bashkuar mes tyre nga një lidhje miqësie vëllazërore dhe të gjallëruar nga të njëjtat ideale. Maria, Zoja jonë, i përdori ata për të filluar urdhrin e saj rregulltar dhe të shërbëtorëve të saj”. Këto fjalë - që përmbahen në "Legenda de Origine" të Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës së Lume Mari - përshkruajnë fillimet e Urdhrit rregulltar të Shërbëtorëve të Marisë.
Në Firencën e shekullit XIII, të pasur me kulturë e me para, udhëkryq idesh e luftërash ndërmjet guelfëve e bigelinëve, nuk munguan burra e gra që praktikonin jetën ungjillore. Kështu, sipas traditës, rreth vitit 1233, kur Firence tronditej nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë fiorentinë, anëtarë të një shoqërie ku bënin pjesë besimtarë të devotshëm të Virgjërës Mari, u tërhoqën në Malin Senario, pranë qytetit të tyre, duke iu përgjegjur thirrjes së Zotit për t’ia kushtuar plotësisht jetën.
Braktisën shtëpitë e nisën të jetonin në lutje e pendesë, sipas modelit të Virgjërës Mari. Të gjitha pasuritë që kishin, ua ndanë të varfërve. Ndërtuan një shtëpizë e një orator kushtuar Zojës së Bekuar. Nga kjo thirrje nisi lulëzimi i urdhrit të Shërbëtorëve të Marisë.
Njëri nga të shtatët, Aleks Falkonieri, vdiq më 1310, por të tjerët vijuan veprën e tij. Kalonin një jetë të vështirë e vetmitare. Megjithatë nuk u largoheshin njerëzve që, të shtyrë nga ankthi e nga dyshimi, kërkonin prej tyre një fjalë ngushëlluese. Fama e shenjtërisë së maristëve u përhap aq shumë, sa me qindra vetë kërkonin të bashkoheshin me ta. Prandaj vendosën të themelonin një urdhër, kushtuar Virgjërës Mari, pasi e kishin quajtur veten shërbëtorë të Nënës së Krishtit. Përshtatën Rregullën e Shën Agostinit.
Në vitin 1888 Papa Leoni XIII shpalli shenjtër 7 etërit e parë të Urdhërit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari, që janë varrosur në një varr të përbashkët në Malin Senario, aty ku patën jetuar së bashku. Mbi rrasën e këtij varri të thjeshtë, si jeta e tyre, lexojmë shtatë emra: Shën Bonfiglio, Shën Bonagiunta, Shën Maneti, Shën Amadi, Shën Sostenjo, Shën Uguçione, Shën Aleksi – që në shqip tingëllojnë pak a shumë: Birmiri, Bashkimiri; Dorarti, Ndihmëtari, Barabarti....